Qindra familje rome dhe egjiptiane në Elbasan përballen ende me vështirësi të mëdha për t’u rehabilituar dhe integruar në shoqëri. Komuniteti rom i vendosur prej vitesh në lagjen “Rrapishtë” në periferi të qytetit ankohet për mungesë të kushteve bazike, si infrastruktura, pastrimi, ndriçimi dhe për problemet e vazhdueshme me ujërat e zeza si pasojë e amortizimit të rrjetit. Ata thonë se ndihen të diskriminuar nga shoqëria dhe të harruar nga institucionet vendore vetëm për shkak të përkatësisë së tyre komunitare.
Çdo vit, problemet e tyre i kanë bërë të ditura pranë Bashkisë së Elbasanit, por përgjigjja që kanë marrë ka qenë vetëm heshtja. Aktivisti i Lëvizjes Rome dhe Egjiptiane, Ervis Çota, ndalet te pasojat që sjell mungesa e investimeve dhe e vëmendjes ndaj këtyre komuniteteve, duke theksuar ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në aspektin ekonomik dhe social.
Kjo situatë reflektohet veçanërisht te fëmijët, të cilët nuk po gjejnë hapësira për t’u integruar në institucionet arsimore, ndërsa shkollat thonë ata po shkojnë drejt segregimit.
Në Elbasan jeton një komunitet i konsiderueshëm rom dhe egjiptian, duke e çuar numrin e tyre në rreth 7700 individë, të cilët kërkojnë më shumë vëmendje dhe mbështetje institucionale për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për t’u integruar plotësisht në shoqëri.
Infoweb Media





