Teksa jemi në pritje të zgjedhjes së një drejtuesi për BKH-në, SPAK është në kërkim të oficerëve të tjerë për të hetuar. Konkurset për staf në Prokurorinë e Posaçme duket se janë në kulmin e tyre. Dukshëm SPAK është “gjueti” të ekspertëve.
Kandidatët për hetues financiarë do t’i nënshtrohen të enjten testit të radhës ndërsa një thirrje e dytë apelon për 10 oficerë të policisë gjyqësore.
Mes tyre, njëri duhet të vijë nga Antiterrori, 2 nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, 2 nga Doganat, një tjetër nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe nga Policia Kufitare. Mes fituesve kanë të drejtë të aplikojnë edhe oficerë të krimit ekonomik, të krimit të organizuar.
Oficeri do të jetë një pikë ndërlidhëse funksionale mes prokurorit të SPAK, BKH dhe institucionit ku ai aktualisht është në detyrë. Ai do të shërbejë si kontakt për të përcjellë informacion të shpejta dhe të sigurta dhe për të garantuar akses të plotë.
Fituesit do të kenë mandat pesë vjeçar. Oficerët e policisë gjyqësore për të cilët SPAK është vënë në kërkim të tyre për të kompletuar më tej forcat që do të hetojnë të korruptuarit dhe krimin e organizuar gjatë detyrës, do të jenë të pavarur nga institucioni prej nga ku do të rekrutohen.





