Klajdi Zavalani, një i ri nga Pogradeci, tregon në emisionin “Stop” në Tv Klan se u dënua në vitin 2021 me 1.5 vite burg për një vepër që nuk e kishte kryer. Atëherë ishte 18 vjeç dhe thotë se kjo ngjarje i shkaktoi shumë tronditje.
Pas vuajtjes së dënimit, gjykata e nxori të pafajshëm dhe vendosi kompensim prej 12 milionë lekësh për ditët e kaluara në burg. Tani çështja është në Gjykatën Administrative të Apelit, ku nuk është shqyrtuar ende për shkak të ngarkesës së gjyqtares Rezarta Aliu. Avokatja e Klajdit ka bërë kërkesa të përsëritura për përshpejtim të çështjes, e fundit në qershor 2025, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Klajdi i drejtohet “Stop”-it për ndihmë që të marrë kompensimin që i takon ligjërisht. Pas avokates, edhe gazetarja e emisionit iu drejtua me një shkresë përshpejtimi Gjykatës Administrative të Apelit duke kërkuar të shqyrtohet çështja e të riut Zavalani.





