Elbasani nis nesër rrugëtimin në Kupën e Shqipërisë, ku kalendari i ka rezervuar një duel të fortë, përballë rivalëve të Flamurtarit. Një përballje për të cilën kampi elbasanas është përgatitur për ta kaluar me sukses, duke ditur se Kupa është një ndër objektivat e këtij edicioni.
Në daljen e tij të zakonshme një ditë para ndeshjes, trajneri Ivan Gvozdenoviç u shpreh optimist, teksa theksoi se ekipi do të ketë disa rikuperime të rëndësishme në këtë sfidë, pas vështirësive të hasura në ndeshjet e fundit të vitit të kaluar.
Tekniku i Elbasanit u ndal më konkretisht te dueli me vlonjatët, ku theksoi se skuadra është e përgatitur për të dhënë maksimumin dhe për të avancuar më tej. Sipas tij, verdheblutë janë gati për çdo skenar, duke qenë se bëhet fjalë për një ndeshje teke.
Verdheblutë janë një ndër ekipet që nuk kanë bërë ende asnjë lëvizje në merkato. Serbi i pankinës elbasanase foli edhe për këtë çështje, por pa zbuluar shumë detaje.
Elbasani do të luajë të shtunën në orën 16:00 ndaj Flamurtarit në “Elbasan Arena”, me shpresën se rrugëtimi në Kupë do të vazhdojë gjatë. Për këtë takim, klubi ka nxjerrë në shitje edhe biletat, me çmime që variojnë nga 200 lekë të rinj deri në 2 mijë lekë.





