Tiranë – Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) ka dhënë sot vendimin për Leonard Duka, duke e dënuar me 30 vite burg për vrasjen e ish-efektivit të policisë, Santiago Malko.
Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, brenda makinës së tij tip “BMW X5”. Malko ishte skeduar për një sërë ngjarjesh kriminale dhe kishte punuar edhe në administratën shtetërore.
Prokuroria ngriti akuzë ndaj tetë personave për vrasjen e Malkos. Në krye të grupit, sipas hetimeve, qëndronin dy vëllezërit Duka, Leonardi dhe Erlisi. Anëtarët e tjerë të akuzuar përfshijnë: Ilir Selmani, Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica.
Vendimi i GJKKO-së shënon një pikë kyçe në zbardhjen e kësaj vrasjeje dhe përbën një masë të rëndësishme drejt drejtësisë për familjen e Santiago Malkos.





