Mbi 110 fëmijë të prekur nga gripi paraqiten çdo ditë në shërbimin e Pediatrisë në Elbasan për të marrë ndihmën e parë mjekësore, duke i mbajtur shifrat në nivele të larta që prej festave të fundvitit. Mjekët pediatër bëjnë me dije se numri i shtrimeve gjatë kësaj periudhe rezulton ndër më të lartët e viteve të fundit duke ezauruar plotësisht kapacitetet e institucionit shëndetësor.
Sipas shefes së Pediatrisë, Irena Palloshi, pacientët e vegjël paraqiten kryesisht me temperaturë të lartë, të cilën e konsiderojnë “rebele”, si edhe me probleme në rrugët respiratore, që në mjaft raste shoqërohen me komplikacione virale.
Virozat e stinës kanë prekur në mënyrë masive të gjitha grupmoshat pediatrike. Mjekja apelon për vigjilencë të shtuar nga ana e prindërve, duke theksuar rëndësinë e reagimit të hershëm ndaj simptomave.
Nga muaji janar e deri më tani, rreth 1350 fëmijë kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në pavijonin e Pediatrisë në Elbasan, ndërsa numri i shtrimeve për të njëjtën periudhë ka kaluar 575 raste.





