Elbasani mbyll tri fazat me 49 pikë, Merxha: Verdheblutë pretendentë për “Final 4” dhe trofe

0

Skuadra e AF Elbasani ka mbyllur tri fazat e para të kampionatit me 49 pikë, duke ndarë vendin e dytë në renditje me KF Egnatia, ndërsa qëndron vetëm dy pikë larg kryesuesve të KF Vllaznia Shkodër. Një ecuri që ka mbajtur gjallë shpresat e verdhebluve për të qenë pjesë e “Final 4”, por edhe për të pretenduar deri në fund titullin kampion.

Performanca e skuadrës elbasanase gjatë këtyre tri fazave është analizuar për “RTSH Sport” nga ish-futbollisti i njohur Eriol Merxha, i cili vlerëson ecurinë dhe stabilitetin që ekipi ka treguar gjatë sezonit.

Sipas tij, Elbasani ka arritur të krijojë një skuadër konkurruese, që ka treguar se mund të rivalizojë me ekipet më të forta të kampionatit dhe të synojë objektiva madhorë deri në fund të sezonit.

Merxha ndalet gjithashtu edhe te shorti i Kupës së Shqipërisë, ku Elbasani do të përballet me Vllazninë në gjysmëfinale. Ish-futbollisti thekson se verdheblutë kanë të gjitha mundësitë për të kaluar në finale dhe për të synuar fitimin e trofeut.

Në analizën e tij, ai flet edhe për përballjen e fundjavës mes KF Flamurtari Vlorë dhe Elbasanit, duke qenë se ka veshur fanellën e të dy klubeve gjatë karrierës së tij. Sipas Merxhës, kjo pritet të jetë një ndeshje e fortë dhe me rivalitet, ndërsa ai ndalet edhe te gara për titullin kampion dhe ekipet që mbeten në garë për kreun e renditjes.

Ndeshja mes Flamurtarit dhe Elbasanit do të zhvillohet të shtunën në orën 18:00 në qytetin e Vlorës.