Zhvillime të reja shkencore po hedhin dritë mbi përdorimin e helmit të bletës si një trajtim të mundshëm plotësues në luftën kundër kancerit tw gjirit, duke sjellë rezultate fillestare që konsiderohen inkurajuese nga komuniteti shkencor.
Hulumtimet fokusohen në përbërjen kimike të helmit, e cila duket se ka veti antikancerogjene dhe ndikon drejtpërdrejt në sjelljen e qelizave kancerogjene. Sipas të dhënave laboratorike, helmi mund të aktivizojë procesin e vdekjes së programuar të qelizave (apoptozën), duke çuar në shkatërrimin e tyre.
Përveç kësaj, ai duket se kufizon rritjen e tumorit, pengon përhapjen e sëmundjes në inde të tjera dhe zvogëlon aftësinë e qelizave kancerogjene për të migruar. Një element me interes të veçantë është se, në disa raste, efekti i tij përforcohet kur përdoret në kombinim me kimioterapinë, duke rritur ndjeshmërinë e qelizave ndaj ilaçeve.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se kjo qasje ndodhet ende në fazat e hershme të kërkimit. Nevojiten studime klinike më të mëdha për të konfirmuar sigurinë dhe efektivitetin e saj, pasi aktualisht helmi i bletës nuk është i miratuar si trajtim standard për kancerin e gjirit.





