TIRANË- Policia ka arrestuar katër persona lidhur me zjarrin që shkrumboi pallatin 12 katësh në kompleksin “Arlis”, pranë QSUT në Tiranë, si dhe është shpallur në kërkim ndërtuesi i “Arlis”, Armand Lilo. Mësohet se mes të arrestuarve është menaxheri i një marketi që ndodhej në katin e parë të godinës dhe administratori i pallatit.
Hetimet janë ende në zhvillim dhe autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht shkaqet e zjarrit. Si pasojë e zjarrit masiv, disa persona mbetën të lënduar, të cilët u dërguan menjëherë në QSUT për mjekim.
Në operacionin për shuarjen e flakëve morën pjesë tetë mjete zjarrfikëse, dy helikopterë Cougar si dhe rreth 50 forca nga ushtria dhe emergjencat civile. Pamjet apokaliptike tregojnë ndërtesën e shkrumbuar dhe rrënojat nga apartamentet. Fasada, e cila ka dy shtresa, është djegur e tëra në pjesën e jashtme të saj, ndërsa është prekur edhe shtresa e dytë.





