Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur paraditen e sotme në autostradën Çermë–Lushnje, në afërsi të fshatit Konjat.
Në aksident janë përfshirë tre automjete, duke shkaktuar plagosjen e një prej drejtuesve dhe bllokimin e tij brenda mjetit.
Sipas informacioneve paraprake, njëri prej mjeteve ka dalë jashtë kontrollit pas përplasjes së fortë dhe ka përfunduar në barrierat anësore të rrugës.
Goditja ka qenë aq e fortë sa drejtuesi i këtij mjeti ka mbetur i bllokuar brenda karabinës së dëmtuar.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e urgjencës dhe policia.
Për shkak të dëmtimeve të rënda të makinës, pritet ndërhyrja e forcave zjarrfikëse, të cilat do të përdorin mjetet prerëse (presat automatike) për të mundësuar nxjerrjen e të plagosurit nga mjeti.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për menaxhimin e trafikut në këtë aks të rëndësishëm rrugor, si dhe për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.
Siç shihet edhe nga pamjet, grupet e emergjencës janë në gatishmëri të plotë për t’i dhënë ndihmën e parë të lënduarit sapo të nxirret nga mjeti.





