TIRANË- Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro për shtyrje të ekzekutimit të dënimit me 6 muaj e 10 ditë burg, derisa Gjykata e Lartë të shprehet. Kërkesa e ish-kryebashkiakut, u shqyrtua nga gjyqtarja Etleva Deda, e cila pasi dëgjoi qëndrimin e avokatit mbrojtës dhe të prokurorit të çështjes, vendosi të mos pranojë kërkesën.
Vendimi lidhet me dosjen ku Goro është shpallur fajtor për tjetërsimin e një prone në favor të ish-kryetarit të komanduar të Bashkisë Himarë, Arqile Bollano. Apeli i Posaçëm kishte konfirmuar më herët dënimin prej 2 vitesh burg, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar është ulur në 1 vit e 4 muaj heqje lirie.
Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, u arrestua për shpërdorim detyre, kryer në bashkëpunim në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqeje toke, që gjendet në fshatin Gjilekë të Dhërmiut, të cilën Gjykata e Posaçme e ka nën sekuestro. Këto sipërfaqe prej rreth 10 mijë metra katror janë sekuestruar nga SPAK dhe si përfitues fundor kishin ish-deputetin Artan Gaçi.
Goro u arrestua në mars të vitit të kaluar, pas kallëzimit te depozituar nga Fredi Beleri. Për të njëjtën çështje, do të gjykohet edhe ish-kreu i Kadastrës së Vlorës, Bilbil Aliaj, i cili ndodhet në masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ si dhe ish-juristi Vezir Gjikoka që ka masën ‘arrest në shtëpi”.





