Sali Berisha ka folur për gjendjen ekonomike të pensionistëve në Shqipëri, duke thënë se shumë prej tyre po jetojnë në varfëri dhe nuk po përballojnë dot rritjen e çmimeve.
Në tryezën e organizuar nga Departamenti i Ekonomisë dhe Financës me temë “Pensionistët, të nëpërkëmburit”, ai tha se rreth 490 mijë pensionistë marrin pensione të pjesshme dhe jo pension të plotë minimal. Sipas tij, me të ardhurat që marrin sot, shumë të moshuar mezi sigurojnë ushqimet dhe ilaçet.
Sali Berisha u shpreh se çmimet janë rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, ndërsa pensionet nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm.
Ai solli si shembull rritjen e çmimeve të ushqimeve, duke thënë se pensionistët shpenzojnë pjesën më të madhe të të ardhurave vetëm për produktet bazë dhe ilaçet.
Sipas tij, inflacioni real për ushqimet është shumë më i lartë nga ai që raportohet zyrtarisht. Ai tha se, ndërsa qeveria flet për inflacion të ulët, çmimet e produkteve që përdorin çdo ditë pensionistët janë rritur shumë më tepër.
Gjatë fjalës së tij, Berisha krahasoi edhe nivelin e pensioneve në Shqipëri me vendet e rajonit. Ai tha se në vitin 2013 pensionet shqiptare ishin ndër më të lartat në rajon, ndërsa sot pensionistët përballen me kosto të larta jetese dhe vështirësi ekonomike.
Sipas kreut të PD-së, mungesa e politikave mbështetëse dhe rritja e vazhdueshme e çmimeve kanë bërë që shumë pensionistë të jetojnë në kushte të vështira ekonomike.





