Emigracioni jashtë vendit dhe migrimi drejt qyteteve të mëdha po e zbrazin çdo ditë e më shumë Gramshin .Dikur një qytet me lëvizje dhe aktivitet, sot rrugët shfaqen pothuajse të boshatisura, ndërsa në to shihen kryesisht të moshuar, nxënës shkollash dhe pak punonjës të administratës shtetërore.
Për ata që zgjedhin të qëndrojnë brenda vendit, destinacionet më të preferuara mbeten Tirana, Durrësi, Vlora , Fieri, ku mundësitë për punësim dhe një jetë më e mirë konsiderohen më të mëdha.
Banorët shprehen se mbi 80 për qind e popullsisë është larguar ndër vite, ndërsa fenomeni ka prekur jo vetëm qytetin, por edhe fshatrat e zonës.
Papunesia dhe vështirësitë ekonomike konsiderohen si arsyet kryesore që po detyrojnë banorët të lënë vendlindjen e tyre.
Edhe pse mungojnë statistika të sakta mbi emigracionin masiv dhe migrimin e brendshëm, realiteti në Gramsh flet vetë: qyteti dhe i gjithë rrethi po humbasin banorët dita-ditës.





