“Zhvillim pozitiv sa i takon bujqësisë”/ Rama nga Cërriku: Do të firmosim marrëveshje të rëndësishme me Izraelin…

0

ELBASAN- Kreministri i vendit, Edi Rama ka kryer ditën e sotme një vizitë në fermën eksperimentale të shkollës profesionale “Mihal Shahini”, e cila do të shërbejë si një platformë edukimi, trajnimi dhe demonstrimi për nxënësit dhe fermerët, të cilët do të mund të përdorin metoda inovative për kultivimin e produkteve bujqësore. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se bujqësia ka njohur një zhvillim pozitiv sa i takon fshatit, tokës dhe bujqësisë cilësore.

Kryeministri theksoi se pritet që të zhvillohet një marrëveshje e rëndësishme me shtetin izraelit, për të transferuar në Shqipëri sa më shumë eksperiencë në sektorë të ndryshëm.

“Kjo është, besoj unë edhe arsyeja pse ne i kemi të gjitha shkaqet për të qenë optimist edhe për këtë program, shkollë, bashki që ka hedhur hapa kurajozë dhe të admirueshëm, të vënies në shfrytëzim të asaj që ofron teknilogjia, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm. Më vjen shumë mirë për këtë zhvillim kaq pozitiv, në drejtim të bashkëpunimit, sa i takon fshatit, tokës, bujqësisë cilësore. Ky është vetëm një hap, presim me padurim të firmosim një marrëveshje të rëndësishme me shtetin izraelit për të hapur kapitull të ri në këtë marrëdhënie, për të transferuar në Shqipëri sa më shumë eksperiencë. Faleminderit miqve që kanë ardhur këtu. Shpresoj të rikthehemi këtu për të parë të tjera bashkëpunime të bukura”, tha Rama.