“Të gjithë njëzëri”, studentët shqiptarë protestojnë sot në Shkup

0

Studentë shqiptarë nga të gjitha trevat do të mblidhen sot në Shkup për të protestuar lidhur me mosrealizimin e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Sipas njoftimit të studentëve, protesta do të zhvillohet nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, orës 16:30 para Urës së Gurit në Shkup, me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Në këtë organizim do të marrin pjesë studentë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe vise të tjera shqiptare, të cilët kërkojnë që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Protesta do të zhvillohet nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë njëzëri”, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe qytetare.

“Së bashku para Urës së Gurit për gjuhën tonë”, thuhet në njoftimin e studentëve, ku vihet në pah rëndësia e mbrojtjes së përdorimit të gjuhës shqipe në proceset profesionale dhe institucionale.

Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka dalë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Meidani ka publikuar në rrjetet sociale vargje nga poema “Gjuha Shqype” e poetit dhe publicistit, At Gjergj Fishta i cili me penën e tij të fuqishme lartësoi gjuhën shqipe, i dha zë epopesë historike të shqiptarëve, ndërtoi mitin letrar të qëndresës dhe dinjitetit kombëtar si dhe shndërroi fjalën artistike në akt atdhetarie.