Shkaktoi vdekjen e 7-vjeçarit/ “Kam bërë 20 aksidente, i jap shpejt makinës”, çfarë deklaronte Petri Bozdo në “On The Road”

0

Tragjik ishte fati i një 7-vjeçari dje në fshatin Mengël, si pasojë e një aksidenti, ndërsa pas hekurave përfundoi regjisori i njohur, Petri Bozo, i cili drejtonte automjetin që përplasi vogëlushin.

Ngjarja ndodhi në aksin “Elbasan–Librazhd”, ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeçar pranë shkollës 9-vjeçare “Sulejman Rranci”, institucion i vendosur buzë rrugës nacionale.

Sipas burimeve policore, pas ngjarjes Bozo ka deklaruar se nuk po lëvizte me shpejtësi, megjithatë autoritetet dyshojnë se automjeti mund të ketë qenë mbi limitet e lejuara. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë ende.

Nga informacionet paraprake rezulton se i mituri kishte shoqëruar motrën në shkollë së bashku me nënën, ndërsa vetë ndiqte mësimin pasdite në të njëjtin institucion arsimor.

Dëshmitarë në vendngjarje kanë treguar se, pasi kishin lënë vajzën në shkollë, nëna dhe djali po lëviznin drejt një dyqani pranë zonës. Në ato momente dyshohet se fëmija është shkëputur nga dora e së ëmës dhe është përplasur nga automjeti që drejtohej nga regjisori.

Ndërkohë, në një intervistë të dhënë disa kohë më parë për Top News, në emisionin “On The Road”, Petri Bozo kishte folur për përvojat e tij në timon, duke treguar se gjatë jetës kishte qenë i përfshirë në mbi 20 aksidente rrugore. Në atë intervistë ai kishte pohuar se vetëm një prej tyre i kishte rrezikuar realisht jetën.