BE i jep Shqipërisë ‘dritën jeshile’ për fazën tjetër të negociatave/ Zv. ministrja Raouna: Arritje domethënëse, jemi të kënaqur që anëtarësimi po ecën para

0
Screenshot

Bashkimi Europian ka konfirmuar se Shqipëria ka arritur të përmbushë objektivat e ndërmjetme për grup-kapitullin e “Themeloreve”, një hap i rëndësishëm në procesin e negociatave për anëtarësimin në BE.

Gjatë Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE në Bruksel, zëvendësministrja për Çështjet Europiane e Qipros, Marilena Raouna, u shpreh se ky zhvillim i jep mundësi Shqipërisë të ecë më tej në procesin e integrimit dhe në fazat e ardhshme të nisë edhe mbyllja e kapitujve të negociatave.

Ajo vlerësoi punën e institucioneve shqiptare, administratës dhe qytetarëve në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke e cilësuar procesin si të vështirë, por të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.

Nga ana tjetër, u bë e qartë se faza e ardhshme do të kërkojë më shumë rezultate konkrete.

Sipas BE-së, nuk mjafton vetëm miratimi i reformave dhe ligjeve, por duhet edhe zbatimi i tyre në praktikë, sidomos në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor.

Konferenca në Bruksel konsiderohet si një tjetër moment pozitiv për Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

FJALA E PLOTË:

Në vijim të këtij vlerësimi, konferenca sot e anëtarësimit doli në përfundimin që Shqipëria ka plotësuar me sukses piketat e ndërmjetme për grup kapitullin e themeloreve.

Kjo është një arritje vërtet domethënëse dhe një vlerësim i rëndësishëm i përpjekjeve të qëndrueshme për reforma të Shqipërisë dhe angazhimit politik nga Shqipëria në rrugëtimin e saj europian.

Ky gur kilometrik e lejon Shqipërinë të ecë përpara në procesin e anëtarësimit dhe në momentin kur të plotësohen kushtet përkatëse ne të nisim të mbyllim provizorisht kapitujt.

E kemi thënë hera-herës që zgjerimi është një përparësi strategjike për presidencën e Qipros dhe që ne do të jepnim rezultate dhe është pikërisht ajo çfarë po bëjmë sot.

Ne besojmë thellësisht te zgjerimi si një prej politikave më transformuese të Bashkimit Europian dhe jemi për rrjedhojë veçanërisht të kënaqur që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë po ecën përpara në mënyrë të drejtë dhe ndihmtare e të përhershme në përputhje të plotë me qasjen bazuar në meritë të BE-së, me vlerësim rigoroz dhe të drejtë dhe me kushtëzim rigoroz dhe të drejtë.

E sotmja po kështu është edhe një shenjë e angazhimit tonë të palëkundur për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor në tërësi.

Do të doja të përgëzoja qeverinë shqiptare, autoritetet, institucionet dhe qytetarët për përkushtimin dhe vendosmërinë e tyre për të çuar përpara reformat.

Reforma të vështira. E dimë që procesi i anëtarësimit është një rrugëtim i mundimshëm por një rrugëtim që ia vlen, dhe që kanë dëshmuar një angazhim kaq të qartë ndaj një të ardhmeje të përbashkët europiane.

Në të njëjtën kohë, konferenca e sotme shënon fillimin e një faze të re, ndoshta edhe më sfiduese e kërkuese të procesit të anëtarësimit, sepse grup kapitulli i themeloreve mbetet në themel të negociatave.

Progresi në këtë fazë nuk matet vetëm me miratimin e reformave apo të legjislacionit, por gjithmonë e më tepër me zbatimin e tyre efektiv, me një bilanc të konsoliduar dhe të besueshëm dhe nga rezultate të prekshme, të cilat janë të qëndrueshme dhe të pakthyeshme.