NASA ka nisur një fazë të re ambicioze për ndërtimin e një baze të gjerë në Hënë, vetëm pak muaj pas fluturimit historik të misionit Artemis II.
Agjencia amerikane e hapësirës ka bërë të ditur të martën, 26 maj, se ka dhënë qindra miliona dollarë kontrata për katër kompani amerikane, me qëllim zhvillimin e moduleve dhe dronëve që do të përdoren në sipërfaqen hënore.
Sipas planit, kompania e Jeff Bezos, Blue Origin, do të sigurojë dy mjete uljeje në Hënë që do të transportojnë mjete lëvizëse (moon buggies) në sipërfaqen e Hënës, pranë polit jugor. Këto automjete hënore do të ndërtohen nga Astrolab dhe Lunar Outpost, ndërsa Firefly Aerospace do të dërgojë dronët e parë në Hënë, pasi ka arritur më parë një ulje të suksesshme atje.
Dronët do të përdoren për të ndihmuar në vendosjen dhe organizimin e infrastrukturës fillestare të bazës, sipas modeleve 3D të prezantuara në Cape Canaveral.
NASA synon që shumica e këtyre pajisjeve të arrijnë në Hënë përpara misionit Artemis III, i cili është planifikuar për vitin 2027, me një ulje të mundshme të astronautëve në vitin 2028.
Plani afatgjatë i programit Artemis parashikon tre faza:
– Faza e parë përfshin dërgimin e pajisjeve dhe testimin e teknologjive në sipërfaqe
– Faza e dytë (2029-fillimi i viteve 2030) do të fokusohet në ndërtimin e infrastrukturës së përhershme, përfshirë një rrjet energjie
– Faza e tretë synon krijimin e një pranie të qëndrueshme njerëzore në Hënë gjatë viteve 2030, me habitate të specializuara
Drejtori i programit të bazës hënore, Carlos Garcia-Galan, tha se qëllimi është një prani e përhershme në Hënë: Atëherë do të jemi në gjendje të themi: jemi këtu përgjithmonë dhe nuk po largohemi!
Ai parashikon që baza të shtrihet në një sipërfaqe prej qindra miljesh katrorë, me dronë që do të shërbejnë si shenja kufitare të zonës operative.
Ndërkohë, administratori i NASA-s, Jared Isaacman, theksoi se këto masa synojnë të respektojnë edhe aktivitetet e vendeve të tjera në Hënë dhe të nxisin bashkëpunim ndërkombëtar.
Sipas tij, qëllimi final i këtij programi është zhvillimi i një ekonomie hënore, kryerja e kërkimeve shkencore dhe përgatitja për misionet e ardhshme drejt Marsit.







