Rusia kërkoi largimin e diplomatëve të huaj nga Kievi/ Hoxha: Kërcënimi i ambasadave nuk është diplomaci, Shqipëria nuk do të tërhiqet nga Kievi dhe mbështetja për Ukrainën

0

TIRANË- Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar pas ultimatumit të Moskës për diplomatët e huaj që të largohen nga Kievi para sulmeve të reja. Me anë të një reagimi në “X”, Hoxha e ka cilësuar këtë njoftim si “krejtësisht të papranueshëm”, duke theksuar se kërcënimi i ambasadave nuk është diplomaci, por intimidim dhe shkelje e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Ministri shprehet se Shqipëria nuk do të tërhiqet dhe se ambasada shqiptare do të mbetet në Kiev, duke shprehur mbështetjen e plotë për Ukrainën. Hoxha tha më tej se përgjigja ndaj luftës nuk mund të jetë më shumë dhunë apo sulme ndaj civilëve dhe infrastrukturës, por vetëm ndalimi i konfliktit dhe nisja e negociatave të vërteta për paqe.

Ferit Hoxha postim në X:

Shqipëria e konsideron njoftimin e Rusisë ku u bën thirrje personelit diplomatik dhe qytetarëve të huaj të largohen nga Kievi përpara sulmeve të planifikuara si krejtësisht të papranueshëm. Kërcënimi i ambasadave nuk është diplomaci; është intimidim. Ai përfaqëson një tjetër shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Shqipëria nuk do të tërhiqet. Ne mbetemi në Kiev. Ne qëndrojmë fort me Ukrainën. Dhe nuk do të intimidohemi. Përgjigja për këtë luftë nuk mund të jetë më shumë luftë, më shumë krime ose sulme pa dallim kundër civilëve dhe infrastrukturës civile.

E vetmja rrugë përpara është t’i jepet fund një lufte që nuk duhej të kishte filluar kurrë dhe angazhim në negociata të vërteta dhe me mirëbesim për paqe. Kjo iu përcoll shumë qartë ditën e sotme edhe Ambasadorit të Rusisë në Tiranë