Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i është nënshtruar një kontrolli të ri mjekësor në Qendrën Ushtarake Walter Reed në Bethesda, Maryland, pak para ditëlindjes së tij të 80-të.
Sipas rezultateve të publikuara, gjendja e tij shëndetësore vlerësohet e mirë. Funksionet kardiake, pulmonare dhe neurologjike rezultojnë brenda normave dhe edhe gjendja e përgjithshme fizike është e qëndrueshme.
Trump ka raportuar vetë për testimet përmes një postimi në rrjetin e tij social, duke thënë se rezultatet kanë qenë pozitive, ndërsa Shtëpia e Bardhë këtë herë nuk ka publikuar një raport më të detajuar si në raste të mëparshme.
Në raportin mjekësor përmendet gjithashtu se ai ka marrë rezultat maksimal në një test të vlerësimit kognitiv, i cili mat aftësinë mendore, ndërsa “mosha e zemrës” së tij rezulton më e re se mosha biologjike.
Megjithatë, mjeku ka vënë në dukje disa elemente që kërkojnë kujdes, si shtimi në peshë në krahasim me kontrollin e mëparshëm dhe nevoja për monitorim të kolesterolit. Ai ka rekomanduar gjithashtu më shumë kujdes me dietën dhe aktivitet fizik të rregullt.
Trump, i cili në fillim të mandatit të tij të dytë u bë presidenti më i vjetër në historinë e SHBA-së, vijon të jetë në qendër të vëmendjes për gjendjen e tij shëndetësore, ndërsa raporti i fundit vlerësohet se ul disa nga shqetësimet e ngritura më herët.





