SHBA përshpejton tërheqjen ushtarake nga Evropa, plan i ri drejt NATO-s

0

Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të përshpejtojnë tërheqjen e trupave të tyre nga disa baza në Evropë dhe pritet që këtë çështje ta diskutojnë me aleatët e NATO-s muajin e ardhshëm.

Sipas raportimeve të mediave gjermane, procesi i tërheqjes mund të ndodhë më shpejt nga sa ishte parashikuar më herët.

Në maj, SHBA njoftuan se do të tërheqin rreth 5,000 ushtarë nga Gjermania, ku aktualisht janë të stacionuar rreth 35,000 trupa amerikane.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes kishte bërë me dije se ky proces do të zgjaste nga gjashtë deri në dymbëdhjetë muaj, por tani flitet për përshpejtim të afateve.

Plani ende nuk është bërë i detajuar publikisht, dhe nuk dihet se cilat baza apo rajone do të preken më konkretisht. Çështja pritet të jetë pjesë e diskutimeve në samitin e ardhshëm të NATO-s.

Pentagoni nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar për raportimet.