Stadiumi “Elbasan Arena” ishte skena e një prej aktiviteteve më të bukura sportive për të rinjtë e qytetit, teksa u zhvillua finalja e kampionatit të gjimnazeve të Elbasanit. Përballë njëri-tjetrit u vendosën ekipet e shkollave “Dhaskal Todri” dhe “Kostandin Kristoforidhi”, në një ndeshje që dhuroi rivalitet, emocione dhe spektakël. Pas minutave të luftuara në fushën e blertë, gjimnazi “Dhaskal Todri” arriti të triumfojë me rezultatin 3-1, duke ngritur trofeun e kampionit dhe duke kurorëzuar me sukses një sezon të mbushur me përkushtim dhe punë ekipore. Atmosfera në stadium ishte e jashtëzakonshme. Tifozët e të dy shkollave krijuan një klimë festive me brohoritje, pankarta dhe mbështetje të pandërprerë për ekipet e tyre. Në përfundim të finales, trofeu dhe medaljet iu dorëzuan fituesve nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, i cili përgëzoi të rinjtë për shpirtin sportiv, garën e ndershme dhe pasionin që treguan gjatë gjithë aktivitetit. Emocionet nuk munguan as te protagonistët e kësaj finaleje.
Ky aktivitet sportiv u organizua nga Klubi Shumësportësh Elbasani, në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan dhe Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar Elbasan, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë që institucionet lokale i kushtojnë promovimit të sportit, edukimit dhe vlerave të garës së ndershme tek të rinjtë.





