Tragjedia me dy viktima në Shëngjin, policia jep detajet e ngjarjes së rëndë

0

Një ngjarje tragjike është regjistruar këtë të mërkurë rreth orës 16:30 në zonën turistike të Ranës së Hedhun në Shëngjin. Dy të rinj nga Kosova kanë humbur jetën si pasojë e mbytjes në det, ndërsa tre të tjerë ndodhen në spital.

Sipas informacioneve paraprake, raportohet se ata ishin një grup shoqëror që kishin ardhur me autobus nga Kosova dhe kishin ndaluar te Rana e Hedhun.

Pesë turistët pavarësisht detit të trazuar kanë hyrë në det për t’u larë. Dy prej tyre i morën dallgët dhe ndërruan jetë tragjikisht, teksa tre të tjerët arritën të mbijetonin pas mjekimit të marrë në spital.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.

Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.

Sipas informacionit paraprak nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, 2 prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.