Një tragjedi ka goditur bregdetin e Shëngjinit, ku pesë të rinj nga Kosova u përfshinë nga dallgët e forta teksa kishin hyrë për t’u larë në det.
Sipas informacionit zyrtar, dy prej tyre kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerët janë shpëtuar dhe ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Burime bëjnë me dije se një nga viktimat është një 22-vjeçar, i cili nuk arriti t’i mbijetojë rrymave të forta detare.
Policia bën me dije se ngjarja ndodhi si pasojë e erërave të forta, të cilat krijuan dallgë dhe rryma të rrezikshme në det. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të disa qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja e të rinjve nga uji.
Të mbijetuarit u transportuan me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Lezhës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë.
Njoftimi i policisë:
Shëngjin, Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.
Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.
Sipas informacionit paraprak nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, 2 prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.





