Vijon prej më shumë se dy orësh protesta kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, me qytetarët që tashmë kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe kryeministrit Rama.
Protestuesit arritën të kalonin zonën pranë Urës së Lanës, ku më herët u përballën me një gardh metalik dhe kordonin e Policisë së Shtetit.
Situata u përshkallëzua kur protestuesit u afruan pranë perimetrit të rrethuar dhe disa prej tyre kaluan barrierën metalike. Në përgjigje, forcat e policisë ndërhynë duke përdorur makina ujëhedhëse me qëllim shpërndarjen e turmës dhe rivendosjen e rendit. Qytetarët kanë lëshuar thirrje ndaj policisë që të hapin rrugën, por policia ka qëndruar në pozicionin e saj duke mos lejuar kalimin e protestuesve drejt Kryeminsitrisë. Gjë që më pas u arrit.
Qytetarët kanë ndezur tashmë blicat e telefonave, duke ndriçuar bulevardin.
Në kor, protestuesit artikuluan një sërë sloganesh, mes tyre thirrje për dorëheqje të qeverisë, akuza ndaj klasës politike dhe kundërshtim të projektit që po zhvillohet në zonën e mbrojtur. Në protestë u dëgjuan gjithashtu sloganet: “Rama n’burg, Berisha n’burg”, “Opozitë e shitur” dhe thirrje të tjera drejtuar figurave politike.
Kjo është dita e katërt radhazi e protestave kundër projektit në Zvërnec. Qytetarët dhe aktivistët kërkojnë ndalimin e investimit, duke argumentuar se ai cenon një zonë me vlera të veçanta natyrore dhe mjedisore. Nga ana tjetër, qeveria e konsideron projektin një investim strategjik për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së vendit.





