Në këtë puntatë të emisionit “Ka Motor” në Fax News, zgjodhëm të bëhemi pjesë të rekuizitës së shfaqjes më të re të quajtur “A do të bëhet ky vend?”. Që nga titulli duket një pyetje sa pesimiste po aq edhe një pyetje që e bën çdokush nga ne.
Pyetje: A rrotullohet e gjitha kjo shfaqje rreth kësaj pyetje?
Regjisori dhe aktori, Leonard Bombaj: Pyetja është palca e shfaqjes e cila nuk mendoj se është kryesorja por e bukura është nëse njerëzit i mëson me këtë pyetje, e cila në njëfarë mënyrë është edhe pyetje botërore, njerëzit gjejnë të kundërtën e saj, gjejnë zgjidhje. Më lejoni t’ju them reagimin e dy grave të fundit spektatore të cilat rastësisht i dëgjuam: Qamë, qeshëm, u qetësuam.
Domethënë po shikoj se njerëzit kanë reagim shumë të mirë. Unë mendoj që përveç kësaj pyetje ne kemi “shuar urinë” duke bërë atë që njerëzit duan.
Pyetje: Të gjithë aktorët e shfaqjes janë familjarë me përjashtim të një aktori. Si lindi kjo gjë? Ishte për familjen Bombaj posaçërisht apo diçka tjetër?
Bombaj: Në mendjen e çdo artisti bien shira të vjetër. Po mendoja për gjërat që po jetonim. Jemi një shoqëri e sapodalë nga trauma e shoqërisë. Ka qenë një moment ku mes këtyre stuhive të gjërave që doja të bëja po lexoja një libër të një eksperti të suksesi që thotë: Filloje çdo vepër me një “pse” të fortë. Nëse ke një “pse” të fortë, “sepse”-ja vjen vetë pastaj dhe nuk ka njeri që të ndalon.





