Duda Balje, deputete e komunitetit boshnjak, ka rrëfyer në emision Oxygen disa episode nga jeta e saj personale dhe profesionale.
Deputetja është nënë e tre fëmijëve. Ajo tregoi se familja kishte vendosur që ta martonte atë në moshë shumë të hershme, thuajse në adoleshencë.
Por, edhe pse ndoshta e papërgatitur mjaftueshëm fizikisht dhe psiqikisht, ra në duart e një njeriu me fat.
Djalin e madh, Berinin, e lindi kur ishte vetëm 17 vjeçe.
22 vite më parë ajo e lindi djalin e saj në Novi Sad, për arsye sigurie, duke qenë se Kosova në atë periudhë ndodhej në kohë lufte. Me të hyrë në dhomën e spitalit, doktori e kishte pyetur nëse dihet babai i fëmijës pasi kishte parë moshën e saj shumë të re.
“Në spital, kam qenë unë dhe një vajzë rome edhe doktori kur ka hyrë në dhomë edhe ka shikuar nga unë duke thënë: ‘A e din ti kush është babai i fëmijës’, a ne si familje tipike nga Kosova, kanë qenë poshtë vjehrra, vjehrri, nëna, tezja – të gjithë kanë pritur para spitalit dhe unë i kam thënë doktorit: ‘Shiko jashtë ku është familja e bebes”, ka treguar Balje.
Deputetja gjithashtu theksoi se është mirëpritur jashtëzakonisht mirë në familjen e burrit që ka qenë një mbështetje e madhe për të.