Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku reagoi ditën e sotme lidhur me njoftimin e ndërmarrjes publike “Termokos” se do ndërprisnin furnizimin me ngrohje për të gjithë konsumatorët.
Ai tha se kjo krizë ka qenë e paralajmëruar, por se këto paralajmërime s’ishin dëgjuar. Abdixhiku e ka quajtur Qeverinë Kurti të paaftë, tallëse dhe të vonuar, dhe ka pyetur se kë do fajësojnë tani për këtë krizë, kur në KEK e në çdo institucion tjetër energjetik kanë të vendosur njerëzit e tyre.
“Këto paralajmërime nuk ishin dëgjuar. Në kohën kur vendet e rajonit bënin garë për blerjen e energjisë elektrike me çmim më të lirë, Kryeministri ynë krekosej nëpër qendra rajonale e evropiane me narracione fiktive për zhvillimin të pashembullt ekononomik që Kosova me të po e përjetonte. Sot, zhvillimi i pashembullt ekonomik i tij është pa rrymë. Tani kë do të fajësojnë për këtë krizë? Një Qeveri që i ka krejt; i ka dhe njerëzit e vet të vendosur së fundmi në KEK e në çdo institucion tjetër energjetik, nuk arrinë të sigurojë as një produkt bazik në këtë zhvillim të pashembullt ekonomik”, ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku tha më pas se po paralajmërohet për shtrejntim të energjisë, por as ky paralajmërim nuk po dëgjohet dhe se rekomandimet e tyre tallëse, s’do ndihmojnë të kapërcehet kjo krizë.
“Për paaftësinë e tyre do të fajësohen qytetarët tanë. Për shpenzimin e energjisë në “joystick”, “larje të dhëmbëve me ujë të ngrohtë”, e për vet çmimin e lirë të energjisë. Tani edhe çmimi i energjisë na u bë i lirë. Kjo parahyrje e tyre është paralajmërim për shtrenjtimin e radhës që do t’i bëjnë. Por as shtrenjtimi i rrymës e as rekomandimet tallëse për kursim nuk do ta kapërcejnë ketë krizë që sapo ka nisë. Sepse reagimi është i vonshëm. Sepse s’dinë!”, ka shkruar Abdixhiku.