Agron Gaxho- Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Elbasan- Misioni im në shërbim të qytetarëve

0

Intervistë me kandidatin për deputet të Partisë Socialiste, Agron Gaxho

Z. Gaxho, ju jeni një emër i njohur për shumë qytetarë të Elbasanit, keni drejtuar për tre vite një nga institucionet më të rëndësishme publike në qark – Spitalin Rajonal të Elbasanit, por kjo është hera e parë që kandidoni për një post përfaqësues në Kuvend. Çfarë ju shtyu të hyni në garën elektorale?

Angazhimi im në çështje publike ka qenë gjithmonë i lidhur ngushtë me shërbimin ndaj qytetarëve dhe sidomos Drejtimi i Spitalit Rajonal Elbasan, për mua ka qenë më shumë se një detyrë administrative – ka qenë një përgjegjësi humane. Në tri vite sfiduese, arritëm transformime të qenësishme në infrastrukturë, shërbim dhe menaxhim. Spitali u bë një model efikasiteti në juglindje të vendit, duke ofruar kujdes më cilësor për qytetarët dhe duke rritur ndjeshëm nivelin e shërbimeve të komunitetit dhe përmirësimin e kushteve të punës së personelit. Puna ime disa vjeçare më ka afruar me komunitetin e Elbasanit, më ka njohur me sfidat konkrete në terren dhe më ka mësuar se politika ka kuptim vetëm kur është në shërbim të përditshëm të njerëzve. Sot, më shumë se kurrë, ndiej se është koha për të sjellë këtë përvojë në një nivel më të lartë përfaqësimi.

Ju përmendët përvojën në administratë. Si e shihni lidhjen mes kësaj përvoje dhe punës së një deputeti në Kuvend?

Administrata publike është një përvojë që të gjithë njerëzit që aspirojnë për një të ardhme politike, në mendimin tim, duhet ta provojnë për jo më pak se 5 vjet. Ajo të formon për të qenë një profesionist i vërtetë, për të konceptuar dhe hartuar bazuar në aktet ligjore dhe nënligjore, mbi të cilat shteti vepron. Dhe më pas, shkallë pas shkalle, me përkushtim, kalon në nivel drejtues dhe unë e pata mundësinë dhe fatin që të drejtoj disa institucione publike, sikurse ishte Spitali Rajonal i Elbasanit. Drejtimi i një spitali është një lloj mikro-qeverisjeje, që kërkon planifikim të kujdesshëm, ndjeshmëri ndaj nevojave të qytetarëve, vendimmarrje të përgjegjshme dhe, mbi të gjitha, transparencë. Në Kuvend dua ta sjell këtë qasje: fokus te rezultatet, jo te fjalët; politika të ndërtuara mbi përvojën reale dhe mbi nevojat e komunitetit. Do të punoj për një sistem shëndetësor më të barabartë për të gjithë dhe do të jem “avokat” i fortë për zonat rurale, që shpesh mbeten jashtë vëmendjes. Spitali më mësoi se një shërbim i mirë mund të parandalojë një të keqe, të ngrejë moralin e gjithë komunitetit – dhe ky është vizioni që dua ta çoj më tej si përfaqësues në Kuvend: politika të qëndrueshme, plane afatgjata dhe mbrojtje të interesit publik. Për më tepër, kjo përvojë më ka mësuar të dëgjoj, të bashkëpunoj dhe të veproj me përgjegjësi – cilësi thelbësore për çdo deputet që dëshiron të sjellë ndryshimin.

Zona e Shkumbinit të Sipërm ka potencial të madh, por edhe sfida të shumta. Cilat janë prioritetet tuaja për këtë zonë?

Kjo është një zonë me pasuri natyrore dhe burime njerëzore që duhen mbështetur për zhvillim të qëndrueshëm. Prioriteti im i parë është forcimi i bujqësisë dhe agro-turizmit për të gjeneruar të ardhura të reja dhe për të minimizuar ikjen/zhvendosjen e banorëve të zonës. Po ashtu, dua të angazhohem për infrastrukturë më të mirë rrugore, shkolla të pajisura, digjitalizim të shërbimeve dhe mbështetje për të rinjtë që duan të ndërtojnë jetën e tyre këtu. Mbrojtja e mjedisit dhe menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore do të jetë një tjetër shtyllë e fortë e angazhimit tim.

Çfarë ju dallon nga kandidatët e tjerë në këtë garë?

Unë nuk vij nga retorika politike, por nga puna e përditshme dhe rezultatet e prekshme. Me gjithë modestinë që më karakterizon, dua të them se në çdo detyrë kam lënë gjurmë dhe kam dëshmuar se edhe në sistemin publik mund të bëhen gjëra me standard. Kam qenë gjithmonë i hapur, i prekshëm për qytetarët, dhe i përkushtuar ndaj misionit të shërbimit. Kjo më jep besimin se mund të përfaqësoj me dinjitet Elbasanin dhe të jem zëri i punës dhe zhvillimit në Kuvend. Unë vij edhe nga puna në terren, nga problemet reale dhe nga njerëzit që e duan këtë vend pa zhurmë, por me përkushtim. Më njihni për fjalën e mbajtur dhe për përpjekjen e sinqertë për të bërë më të mirën me mundësitë që kam. Zëri i komuniteteve rurale duhet të dëgjohet më shumë, dhe unë dua të jem ura e tyre me institucionet qendrore.

Si e shihni rolin tuaj brenda Partisë Socialiste dhe në bashkëpunim me qeverinë nëse fitoni mandatin?

Partia Socialiste më ka dhënë mundësinë të kontribuoj dhe unë e shoh këtë si një përgjegjësi të madhe. Nuk dua të jem thjesht pjesë e një shumice, por një zë që ngre shqetësime konkrete dhe propozon zgjidhje të arsyeshme. Përvoja në administratë dhe në menaxhim më ndihmon të kuptoj si funksionon sistemi dhe ku duhen bërë ndërhyrjet për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Kryeministri Edi Rama dhe Qeveria ka treguar se dëgjon dhe vepron kur ka sinjalizime të qarta nga terreni – unë dua të jem ai sinjal i saktë dhe i besueshëm nga Elbasani.

Dhe në fund, pse duhet qytetarët t’ju besojnë votën në 2025?

Vota për mua është votë për një përfaqësim me dinjitet dhe rezultate. Sepse edhe me të gjitha mundësitë për të ikur nga Shqipëria, vendosa të rri dhe të jap kontributin tim modest këtu, duke vendosur një “tullë” në ndërtimin e shtetit me përkushtimin tim. Nënë Tereza ka thënë, “Ne mund të bëjmë gjëra të vogla me shumë dashuri” dhe unë jam një njeri që ka punuar për këtë vend me pasion, me përulësi dhe me përkushtim. Vota për mua është votë për një politikë që dëgjon dhe vepron, për një të ardhme më të qëndrueshme dhe për një Shqipëri më të fortë. Dua ta vazhdoj këtë rrugë në Kuvend, jo si privilegj personal, por si angazhim i përditshëm për komunitetin që beson tek puna, jo tek premtimet boshe.

Z. Gaxho, përtej angazhimit në këtë fushatë, si e shihni misionin tuaj afatgjatë në politikë? Çfarë do t’u thonit qytetarëve që kërkojnë një përfaqësim të vërtetë dhe të përgjegjshëm në Kuvend?

Angazhimi im në këtë garë nuk është një vendim i momentit, por një vazhdimësi e natyrshme e përvojës sime në drejtimin e institucioneve publike dhe e lidhjes së përditshme që kam pasur me qytetarët. E shoh përfaqësimin në Kuvend jo si privilegj personal, por si një përgjegjësi të madhe për të sjellë zgjidhje reale, për të ndërtuar politika që burojnë nga nevojat konkrete të komunitetit.

Kam një vizion të qartë për Elbasanin – një rajon me potencial të jashtëzakonshëm, që meriton më shumë investim, më shumë kujdes dhe më shumë përfaqësim të denjë. Prioritetet e mia janë të prekshme: shëndetësi më e fortë dhe e barabartë për të gjithë, mbështetje për bujqësinë, fuqizimi i zonave rurale, digjitalizim i shërbimeve publike dhe përfshirje e të rinjve në zhvillimin e vendit.

Unë besoj në një politikë që dëgjon, vepron dhe shërben. Këtë dua të sjell në Kuvend: përfaqësim me dinjitet, punë konkrete dhe rezultate për njerëzit.

#Agron Gaxho, #Zgjedhje2025, #Partia Socialiste, #Kuvend, #Deputet