TIRANË-Agron Shehaj, deputeti i Partisë Demokratike është shprehur mbrëmjen e sotme për situatën politike dhe partinë në të cilën ai bën pjesë. Shehaj i ftuar në Opinion ka thënë se është duke punuar për një alternativë të besueshme duke pranuar se po krijon një lëvizje të re politike.
“Ne duhet t’i japim një ofertë qytetarëve. Duhet të kishim bërë më shumë dhe janë bërë shumë gabime, ne na takon të ngrejmë një alternativë të besueshme dhe me njerëz me integritet. Nëse alternativa nuk është e besueshme dhe nuk është e përfaqësuar nga njerëz me integritet, humbet besueshmërinë. Në politikë duhet të mendosh se çfarë mendojnë njerëzit”, thotë Agron Shehaj.
Gjatë fjalës së tij, Shehaj shprehet se atij si politikan i takon që të krijojë një alternativë të besueshme, gjë të cilën thotë se po e bën.
“Njerëzit kanë nevojë për një alternativë. Mua si politikan më takon të krijoj një alternativë të besueshme dhe kjo është ajo që bëj, po punoj duke krijuar një lëvizje të re politike”, u shpreh Shehaj.