AI dënon sulmin ndaj lirisë së shprehjes gjatë pandemisë

0

Organizata ndërkombëtare Amnesty International (AI) thotë se gjatë pandemisë Kina, Rusia dhe shumë vende të tjera kanë vendosur “ligje shtypëse” që kanë kufizuar të drejtën e lirisë së shprehjes dhe kanë heshtur kritikët.

Sulmet ndaj lirisë së shprehjes nga qeveritë kanë pasur “një ndikim shkatërrues në aftësinë e njerëzve që të sigurojnë informacion të saktë dhe në kohë gjë që do t’i ndihmonte ata të përballojnë krizën në rritje të shëndetit global”.

Situata edhe më e rëndë është bërë duke marrë parasysh edhe fushatën e dezinformimit që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe.

“Gjatë gjithë pandemisë, qeveritë kanë ndërmarrë një sulm të pashembullt mbi lirinë e shprehjes, duke kufizuar rëndë të drejtat e njerëzve”, tha drejtori i lartë i AI-së, Rajat Khosla, në një deklaratë.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë shënjestruar kanalet e komunikimit, ka pasur censurë dhe mediat janë mbyllur.

Sipas Amnesty International, liria e shprehjes “është me rëndësi jetike sepse një rrjedhje e lirë e informacionit të saktë, të bazuar në prova dhe në kohë rrit ndërgjegjësimin për rreziqet shëndetësore dhe mënyrën e parandalimit dhe përballimit të tyre”.

Raporti, “Liria e shprehjes në rrezik gjatë COVID-19”, veçoi si shembull shtypjen e informacionit nga Kina.

Qysh në dhjetor 2019, punonjësit e shëndetit dhe gazetarët në qytetin kinez Vuhan, ku u zbulua për herë të parë koronavirusi, u përpoqën të tërhiqnin vëmendjen ndaj shpërthimit të sëmundjes që atëherë ishte e panjohur.

Deri në shkurt të vitit 2020, autoritetet kineze kishin hapur mijëra hetime penale kundër individëve që publikuan informacione rreth shpërthimit.

Në Rusi, legjislacioni kundër “lajmeve të rreme” u zgjerua në prill të vitit 2020 duke paraparë dënime penale për “shpërndarjen publike të informacionit të rremë me vetëdije” në kontekstin e emergjencave.

Ndryshimet janë përshkruar si pjesë e përgjigjes së autoriteteve ndaj COVID-19, por Amnesty International tha se këto masa do të mbeten në fuqi përtej pandemisë.

“Ato janë pjesë e një sulmi ndaj të drejtave të njeriut që po ndodh globalisht vitet e fundit – dhe qeveritë kanë gjetur një justifikim tjetër për të rritur sulmin e tyre ndaj shoqërisë civile”, tha AI.

Raporti gjithashtu tha se “fushata e dezinformatave, qoftë përmes kompanive të mediave sociale ose njerëzve në një pozitë me pushtet po paraqet një kërcënim serioz për të drejtat e lirisë së shprehjes”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu