GREQI – Një aksident tragjik ka ndodhur në autostradën Egnatia në Greqi, duke lënë pas dy viktima të djegura dhe katër të plagosur. Ngjarja ndodhi në rrugën me pagesë Polymylos, midis qyteteve Kozani dhe Veria, ku një kamion me targa ukrainase, që lëvizte në kushte mjegulle të dendur dhe dukshmërie pothuajse zero, përplasi dy makina dhe më pas goditi me shpejtësi të frikshme një kabinë pagese, ku ndodhej një punonjëse.
Pas përplasjes, një zjarr i furishëm shpërtheu, duke përfshirë mjetet. Dy persona humbën jetën të djegur në vend, ndërsa katër të tjerë u nxorën me plagë të shumta nga automjetet e dëmtuara. Dy të plagosurit u transportuan në Spitalin e Verisë, dhe dy të tjerë në Spitalin e Kozanit, ku mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.
Shoferi i kamionit, një shtetas ukrainas, u arrestua në vendngjarje dhe po merret në pyetje nga autoritetet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit. Policia nuk përjashton mundësinë që kushtet ekstreme të motit dhe mungesa e shikueshmërisë të kenë luajtur rol kyç në tragjedinë e rëndë.
Pas aksidentit, qarkullimi në Egnatia u ndërpre plotësisht, me rrugën drejt Kozanit që u bllokua në të dy drejtimet. Radhë kilometrike u krijuan në autostradë, me mijëra qytetarë të bllokuar në automjetet e tyre. Autoritetet kanë ndërhyrë për të devijuar trafikun përmes kryqëzimit të Verisë, ndërsa ambulanca dhe zjarrfikës janë në gatishmëri të plotë në zonë.
Burime nga Policia Rrugore thanë se evakuimi i zonës dhe kthimi në normalitet do të kërkojë orë të tëra, ndërkohë që hetimet për këtë tragjedi të rëndë kanë nisur menjëherë.