Një aksident ka ndodhur mëngjesin e sotëm te nënkalimi i Saukut në afërsi të TEG-ut, fatmirësisht pa pasoja në njerëz. Drejtuesi i mjetit ka treguar për Hartën Dixhitale të aksidenteve rrugore, se shkak për aksidentin është bërë rruga e rrëshqitshme, edhe pse kishte rënë vetëm një vesë shiu.
Ai hedh dyshime mbi sasinë e bitumit që është përdorur në ndërtimin e këtij aksi, dhe shton se ka qenë rripi i sigurimit ai që i ka shpëtuar jetën.
Rrëfimi i plotë:
Përshëndetje. Bëra një aksident sot te nënkalimi i Saukut kur vjen nga TEG-u. Shkaku i aksidentit? Isha me 95-100 në orë duke marrë kthesën poshtë mbikalimit, dhe makina filloi të rrëshkasë sapo ndryshoi asfalti, se sa kishte rënë pak shi. Pak para se të hyja në kthesë.
U përplasa tre herë në trafik-ndarëse me makinën që rrëshqiste në rrugë. Makina u bë përshesh, shyqyr që shpëtova mirë. Pa asnjë dëm serioz. Shyqyr që isha vetëm dhe nuk kisha asnjë makina tjetër afër. Por doja të vija në vëmendjen tuaj diçka shumë të rëndësishme, cilësinë e rrugës dhe sasinë e bitumit që hedhin.
Shpëtova mirë se kisha rripin e sigurimit. Po të mos ishte për rripin nuk do jetoja që t’ua tregoja historinë.