Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani pas aksidentit tragjik në Bullgari ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave.
Me anë të një postimi në Facebook, Osmani ka ndarë dhimjen me familjen e viktimave dhe shpreh se Kosova do t’u qëndrojë afër miqve në këto ditë të vështira.
“E trishtuar nga lajmi tragjik për përfshirjen nga flakët të një autobusi udhëtarësh nga Maqedonia e Veriut, në afërsi të Sofjes, në të cilin humbën jetën së paku 46 persona. Në këtë moment pikëllimi të thellë, ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave dhe lutemi për të mbijetuarit. U shprehim ngushëllime popullit dhe autoriteteve të fqinjit tonë, Maqedonisë së Veriut, prej nga vinin shumica e udhëtarëve, si dhe atyre të Bullgarisë, në tokën e të cilëve ndodhi tragjedia.
“Republika e Kosovës vetëm pak kohë më parë e përjetoi një tragjedi të tillë dhe i di mirë përmasat e dhimbjeve të tilla, por edhe nevojën për të reaguar shpejt, prandaj do t’u qëndrojmë afër miqve tanë në këto momente të vështira për ta”, ka shkruar Osmani.