TIRANË- Një 24-vjeçar është vënë në pranga në lidhje me aksidentin e regjistruar ditën e djeshme ku për pasojë humbi jetën një shtetas i huaj. I riu i arrestuar po drejtonte një makinë kur përplasi motomjetin e një turisti sllovak.
Ai nuk arriti tu mbijetonte plagëve ndërsa bashkëshortja e tij ka mbetur e plagosur rëndë dhe po trajtohet në Spitalin e Traumës. 24-vjeçari akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin në aksin rrugor në fshatin Kryezi, informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin R. V., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Nga përplasja e automjetit që drejtonte ky shtetas me motomjetin që drejtonte shtetasi sllovak Z. S., 63 vjeç, humbi jetën drejtuesi i motomjetit dhe u dëmtua bashkëshortja e tij, shtetasja K. S., 65 vjeçe, që udhëtonte me të, e cila ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.