Policia e Kosovës zhvilloi këtë të enjte një aksion në ambientet e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ku u arrestuan disa zyrtarë nën dyshimet për përfshirje në korrupsion. Ndër të ndaluarat është edhe Florije Kelmendi Selimi, nëna e reperit të njohur Getoar Selimi.
Sipas Policisë, arrestimet u kryen me urdhër të Prokurorisë kompetente, në kuadër të një hetimi për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. Përveç Florije Kelmendi Selimit, janë arrestuar edhe dy zyrtare të tjera të kësaj ministrie.
“Policia e Kosovës me njësitë e saj relevante, me autorizim të Prokurorisë kompetente, sot në Prishtinë është duke kryer hetime ndaj disa personave mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.
Aksioni u konfirmua gjithashtu nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Zëdhënësja Kaltrina Shala deklaroi se veprimet hetimore janë duke u zhvilluar në koordinim të ngushtë me Policinë.
Pritet që pas përfundimit të procedurave të nevojshme, organet e drejtësisë të japin më shumë detaje për rastin. Arrestimet kanë tërhequr vëmendje të shtuar, për shkak të profilit të një prej personave të përfshirë në hetim.