Aksioni i SPAK në Shkodër/ Reagon PSD e Tom Doshit

0

Me vendim të Gjykatës së Posaçme, sot u ushtruan kontrolle ndaj gjashtë shtetasve dhe në nëntë automjete të tyre, në Shkodër, Bushat dhe Vau i Dejës.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar para (në euro dhe lekë), tollona karburanti, telefona celularë, dokumente dhe lista me emra qytetarësh. Policia bëri me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht këtë veprimtari të dyshuar kriminale që lidhet me krimet elektorale.

Në lidhje me këtë lajm, ka reaguar edhe Partia Social-Demokrate. PSD në reagim thotë se e gjitha është një dizinformim dashakeq. Sipas PSD-së, asnjë nga anëtarët e saj nuk është përfshirë në krime zgjedhore.

“Lidhur me disa lajme të bëra publike dhe të shpërndara në media të ndryshme për përfshirjen në veprimtari të paligjshme zgjedhore të disa anëtarëve të shtabeve elektorale të PSD-së, në veriun e vendit, PSD përgënjeshtron çdo lajm të tillë. Është një dizinformim dashakeqës.

Lajmet janë të pavërteta dhe spekulative. Janë sulme të drejtpërdrejta ndaj PSD-së, pasi asnjë nga anëtarët tanë nuk është përfshirë në krime zgjedhore. Nuk ka pasur prezencë të policisë dhe as të BKH-së në asnjë shtab, në asnjë zyrë elektorale. Këto janë shpifje monstruoze”, thuhet në reagimin e PSD. Ne mbështesim SPAK në mënyrë të padiskutueshme”, thuhet ndër të tjera në reagimin e PSD-së.