Aktivitet informues, OP: Policët e Veliajt na kërkuan të paguajmë qira si zaptues

0

Organizata Politike denoncoi sjelljen e disa policëve bashkiakë të Tiranës të cilët tentuan t’u prishin aktivitetin e tyre informues për Kartën Sociale. Në një postim në Facebook, OP shkruan se punonjësit e policisë bashkiake tentuan të detyronin të paguanin qira si zaptues të hapësirës publike pasi kishin shpalur një banderolë. Ata akuzuan për këtë ngjarje kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, duke shkruar se ai po pengon organizimin e tubimeve në vende të hapura. Anëtarët e Organizatës Politike u bëjnë thirrje qytetarëve që të bashkohen në fushatën e Kartës Sociale.

POSTIMI NGA ORGANIZATA POLITIKE:

PËR POLICINË E ERION VELIAJT, QYTETARËT NUK KANË TË DREJTA POLITIKE
Sot një grup policësh bashkiakë kanë tentuar të prishin aktivitetin informues mbi Kartën Sociale që ka nisur Organizata Politike. Prej muajsh ne kemi shkuar qytet pas qyteti të Shqipërisë dhe kudo kemi shpërndarë fletushka dhe diskutuar me qytetarët. Me sa duket, këto të drejta që na i njeh kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk janë të mjaftueshme për keqbërësin në krye të Bashkisë së Tiranës.
Ndonëse e kemi njoftuar javë më parë bashkinë për aktivitetin tonë – pikërisht për të shmangur keqkuptime dhe konflikte të kësaj natyre – sot Policia Bashkiake tentoi të na mbyllë gojën. Madje, për të na lejuar ushtrimin e të drejtave tona, kërkuan që të paguajmë në bashki qira si “zaptues” me këmbët tona dhe një copë banderole të hapësirës publike, a thua se po ushtrojmë aktivitet komercial në rrugë.
I kujtojmë Erion Veliajt dhe shërbyesve të tij se zhvillimi i aktiviteteve politike në qytet është e drejtë politike mbi të cilën themelohet demokracia. Më konkretisht, sipas ligjit të tubimeve nr 8773, neni 5, për tubimet në vende të hapura që nuk pengojnë qarkullimin, qytetarët kanë të drejtë të mblidhen dhe të përdorin hapësirën publike pa njoftuar policinë.
Me këtë rast, ftojmë sërish bashkëqytetarët që të na bashkohen në fushatën e Kartës Sociale, realizimi i kërkesave të të cilës do të kontribuonte edhe në demokratizimin e shoqërisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu