Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se incidentet në veri, Serbia po i ndërmerr për shkak se është kundër planit franko-gjerman për marrëveshjen finale.
Kurti deklaroi para mediave të hënën se incidentet nuk lidhen as me targat, as me Asociacionin e as me shkarkimin e drejtorit të Policisë së veri, Nenad Gjuriçin.
Sipas tij, Serbia vazhdon të jetë e koordinuar me Rusinë dhe me presidentin Vladimir Putin, gjersa theksoi se ajo është e interesuar ta sabotojë dialogun.
“Nuk bëhet fjalë as për tabela, as për Asociacion, as për Gjuriçin, bëhet fjalë vetëm për kundërshtimin që ia kanë bërë Evropës dhe BE-së. Këtë koordinim që e kanë me Kremlinin dhe Putinin, këtë po e përdorin te ata që ende i dëgjojnë, si pjesëtarë të strukturave kriminale. Çka po ndodh tani shpjegohet më së shumti me përpjekjen e Beogradit për ta ambalazhuar kundërshtimin e nismës franko-gjermane apo të propozimit të këtyre dy fuqive. Serbia është e interesuar ta sabotojë dialogun dhe çfarëdo marrëveshje. Rruga që ka zgjedhur është kërcënimi i qytetarëve”, tha ai.
Sipas kryeministrit Kurti, përpjekjet serbe do të jenë të pasuksesshme pasi “shteti është i fortë, demokratik, që ka rritje ekonomike e shoqërore në çdo fushë e aspekt”.
Ai theksoi se po vazhdon shpërndarja e masave qortuese për serbët e Kosovës që nuk i ndërrojnë targat. Deri më tani, sipas Kurtit, janë ndarë 856 qortime. Sipas Kurtit vetëm një pakicë e serbëve insiston në targat ilegale.
“Pjesa dërrmuese veturave të Serbisë që kalojnë në pikëkalimet kufitare nuk janë me targa ilegale. Në tremujorin e tretë të vitit 2022, nga gjithsej 75 mijë vetura të Serbisë që kanë kaluar në pikëkalimet kufitare, vetëm 6300, apo 8.5 për qind kanë qenë ilegale”, është shprehur Kurti.