Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian e shohin si emergjente formimin e institucioneve të reja në Kosovës.
Në një tryezë ku diskutimi zhvillohej për integrimin evropian të Kosovës, ambasadori i BE-së, Aivo Orav tha se duhet partner e që kjo arrihet me formimin e qeverisë.
“Ajo që presim shumë nga Kosova është, së pari, të kemi një partner. Po, kemi një partnere – presidenten – por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv. Pra, kemi nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër Bashkimit Evropian. Shpresojmë shumë që qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur”, shprehet Aivo Orav, ambasador i BE në Kosovë.
Duke konsideruar se Kosova ka një mundësi të mirë aktualisht për integrim me përbërjen e re të Bashkimit Evropian, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, po ashtu bëri thirrje për formimin e institucioneve.
“Nesër kemi përpjekjen e 23-të për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, çfarë imazhi na e jep neve kjo? Ne i bëjmë thirrjet tona, por detyrat duhet të bëhen nga politikanët. … Thirrja ime përsëri është, bëni detyrat, shfrytëzojeni këtë mundësi dhe këshilla ime është, nisni nga formimi i institucioneve”, shprehet Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë.
Në diskutimin e titulluar “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, nga Kosova u kërkua të bëjë hapa në raport me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke u fokusuar në dialog e po ashtu duke përmbushur zotimet e dhëna ndaj partnerëve, me theks të vecantë në marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot ndërkohë që bëri thirrje të shfrytëzohej ky momentum, potencoi se Kosova duhet të dëgjojë miqt e të mos “vetizolohet”.
“Si e izolon veten? Duke mos i dëgjuar miqtë , duke kultivuar qëndrime se vetëm unë kam të drejtë, duke gjetur të gjitha arsyet për mos t’i respektuar zotimet. Lutja ime është dëgjojeni miqtë tuaj, Kallas dhe Costa ishin këtu, ndërsa në Tiranë u takuan Osmani dhe Macron”, thotë ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot.
Kosova më 15 dhjetor të vitit 2022 ka aplikuar për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.