Ndërsa konflikti mes Iranit dhe Izraelit përshkallëzohet, administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, jep sinjale të paqarta mbi qëndrimin e saj ndaj një zgjidhjeje diplomatike për programin bërthamor të Iranit.
Publikisht, ajo ka mbështetur një marrëveshje të negociuar, dhe negociatorët amerikanë e iranianë kishin planifikuar të takoheshin sërish këtë javë. Madje, deri të enjten, Trump këmbëngulte në një postim në Truth Social: “Ne mbetemi të angazhuar për një zgjidhje diplomatike.”
Por 14 orë më vonë, teksa Izraeli nisi sulmet ndaj Iranit, Trump postoi se i kishte dhënë Iranit një afat 60-ditor për të arritur një marrëveshje – dhe se ai afat kishte skaduar. Të dielën, Trump deklaronte se “Izraeli dhe Irani duhet të bëjnë një marrëveshje” dhe se kjo do të ndodhte me ndihmën e tij.
Të hënën, ndërsa Trump përgatitej të largohej herët nga samiti i G7 në Kanada, paralajmërimet e tij u bënë më ogurzeza: Ai postoi se Irani “nuk mund të ketë një armë bërthamore” dhe shtoi: “Të gjithë duhet të evakuojnë menjëherë Teheranin!” Presidenti amerikan mohoi më pas spekulimet se ishte kthyer në Uashington për të negociuar një armëpushim, duke theksuar se ishte për “diçka shumë më të madhe se kaq”.
Deklaratat e paqarta të Trump-it kanë ndezur debat mes analistëve mbi përmasën e vërtetë të përfshirjes dhe qëllimeve të SHBA-së në konfliktin Izrael-Iran.
“Shkelje syri” apo përfshirje?
Trump ka mohuar çdo përfshirje të SHBA në sulme. “SHBA nuk ka pasur asnjë lidhje me sulmin ndaj Iranit, sonte,” shkroi ai të dielën.
Kelsey Davenport, drejtore për politikën e mos-përhapjes së armëve pranë Shoqatës Amerikane për Kontrollin e Armëve, tha se mesazhet e Trump-it kishin qenë të qarta. “Mendoj se Presidenti Trump ka qenë shumë i qartë në kundërshtimin e tij ndaj përdorimit të forcës ushtarake kundër Iranit, ndërkohë që diplomacia ishte në zhvillim. Dhe raportimet sugjerojnë se ai e ka kundërshtuar [Kryeministrin izraelit Benjamin] Netanyahu,” tha ajo.
Sipas Davenport, më e mundshme është që “Izraeli u shqetësua se diplomacia do të kishte sukses, dhe kjo do të sillte një marrëveshje” që “nuk përputhej me interesat dhe objektivat e tij ndaj Iranit.”
Edhe Richard Nephew, profesor në Universitetin Columbia dhe ish-drejtor për çështjet e Iranit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare nën Presidentin Obama, bie dakord. Ai thekson se pikërisht këmbëngulja e Trump-it drejt një marrëveshjeje e shqetësonte Izraelin.
“Mendoj se ajo që përbën problem është pikërisht kjo këmbëngulje,” tha Nephew.
Por Ali Ansari, profesor i historisë iraniane në Universitetin St Andrews në Skoci, ka një mendim tjetër.
“SHBA ishte në dijeni… Edhe nëse momenti i saktë i sulmit i befasoi, ata duhej të ishin në dijeni, kështu që një ‘shkelje syri’ është një përshkrim i përshtatshëm,” tha ai për Al Jazeera.
“Në të njëjtën kohë, SHBA mendon se Izraeli duhet të marrë drejtimin dhe ta bëjë këtë vetë,” shtoi ai.
A mund të përfshihet SHBA në konflikt?
Besohet se Izraeli ka shkatërruar pjesën mbi tokë të impiantit për pasurimin e uraniumit në Natanz. Ky impiant pasuron uranium deri në nivelin 60% – shumë më lart se 3.67% që nevojitet për energji, por më poshtë se 90% që kërkohet për një bombë atomike. Humbja e energjisë në Natanz si pasojë e sulmit izraelit mund të ketë dëmtuar edhe pjesën nëntokësore të impiantit, sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).
Por sipas vlerësimit të IAEA-s, Izraeli nuk ka dëmtuar impiantin tjetër për pasurimin e uraniumit në Fordow, i cili ndodhet brenda një mali dhe gjithashtu pasuron uranium në nivelin 60%.
“Është e mundur që Izraelit do t’i duhej mbështetja e SHBA-së nëse do të donte të depërtonte në disa nga këto objekte nëntokësore,” tha Davenport, duke përmendur bombën më të madhe konvencionale të SHBA-së, “Massive Ordnance Penetrator”, me peshë 13,600 kg.
“[Me] goditje të përsëritura me këtë municion, mund të dëmtohen ose shkatërrohen disa nga këto impiante,” tha ajo, duke theksuar se “Uashingtoni nuk e ka transferuar këtë bombë te Izraeli”.
Edhe Barbara Slavin, studiuese e dalluar në Qendrën Stimson, një institut amerikan i mendimit, tha për Al Jazeera se Izraelit do t’i duheshin armë amerikane për të përmbushur objektivin e tij për shkatërrimin e programit bërthamor iranian.
Nephew nuk e përjashton mundësinë që kjo të ndodhë.
“E dimë që [Trump] pëlqen të jetë në anën e fituesve. Nëse ai e percepton Izraelin si fitues aktualisht, kjo është arsyeja pse ai po mban këtë qëndrim dhe pse mendoj se kemi të bëjmë me një ‘shkelje syri’ ndaj Izraelit,” tha ai.
Të premten, SHBA fluturoi një numër të madh avionësh furnizues me karburant në ajër drejt Lindjes së Mesme dhe urdhëroi aeroplanmbajtësen USS Nimitz të lëvizë në atë zonë. Të martën, njoftoi se do të dërgonte edhe avionë luftarakë shtesë në rajon.
Ansari është dakord që suksesi fillestar i sulmeve izraelite mund ta tundojë Trump-in të përfshihet, vetëm për të marrë një pjesë të lavdisë, por mendon se kjo mund ta detyrojë Iranin të tërhiqet.
“Ka shumë mundësi që SHBA të bashkohet në një sulm ndaj Fordow, megjithatë mendoj se vetëm kërcënimi serioz i një sulmi amerikan do t’i detyrojë iranianët të ulen në tryezën e negociatave,” tha Ansari. “Ata mund të tërhiqen – me nder – përballë Shteteve të Bashkuara; nuk mund ta bëjnë këtë përballë Izraelit, megjithëse mund të mos kenë zgjedhje.”
I shqetësuar për një përfshirje të mundshme të Amerikës, Senatori amerikan Tim Kaine paraqiti një rezolutë për kompetencat e luftës të hënën, që do të kërkonte autorizimin e Kongresit për çdo veprim ushtarak ndaj Iranit.
“Nuk është në interesin tonë të sigurisë kombëtare të hyjmë në luftë me Iranin, përveçse nëse ajo është absolutisht e nevojshme për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara,” tha Kaine.
Diplomaci apo forcë?
Ish-presidenti Obama nuk e konsideronte një zgjidhje ushtarake si tërheqëse apo të realizueshme për programin bërthamor të Iranit, dhe për këtë zgjodhi një proces diplomatik që kulmoi me Marrëveshjen e Përbashkët Gjithëpërfshirëse (JCPOA) në vitin 2015. Kjo marrëveshje parashikonte monitorim të plotë të aktiviteteve bërthamore të Iranit nga IAEA, për të garantuar se pasurimi i uraniumit do të mbetej në nivelet e nevojshme për energji.
Sipas Nephew dhe Davenport, Trump kontribuoi në nxitjen indirekte të opsionit ushtarak kur e tërhoqi SHBA-në nga JCPOA në vitin 2018, për shkak të kërkesës së Izraelit.
Dy vite më pas, Irani deklaroi se do të pasuronte uranium deri në 4.5%, dhe në vitin 2021, arriti nivelin 20%. Në vitin 2023, IAEA njoftoi se kishte gjetur grimca uraniumi në Fordow të pasuruara deri në 83.7%.
Trump nuk ofroi asnjë alternativë ndaj JCPOA gjatë mandatit të tij të parë presidencial, dhe as Presidenti Joe Biden më pas.
“Shtyrja drejt djegies së JCPOA ishte një kontribut i drejtpërdrejtë për të çuar situatën këtu ku është sot,” tha Nephew. Zgjedhja e një rruge ushtarake në vend të asaj diplomatike për të ndalur një program bërthamor “nxit përhapjen”, tha ai, “sepse vendet mendojnë: ‘E vetmja mënyrë për të mbrojtur veten është të ndjek këtë rrugë.’”
Davenport, eksperte për programet bërthamore dhe raketore të Iranit dhe Koresë së Veriut, tha se edhe një ndryshim regjimi në Teheran – siç ka kërkuar Netanyahu – nuk do të zgjidhte problemin.
“Ndryshimi i regjimit nuk është një strategji e garantuar për mospërhapjen e armëve,” tha ajo. “Nuk dimë se çfarë do të ndodhte më pas në Iran nëse ky regjim do të rrëzohej. Nëse ushtria do të merrte kontrollin, armët bërthamore mund të bëheshin më të mundshme. Por edhe nëse do të ishte një qeveri më e hapur dhe demokratike, edhe demokracitë mund të zgjedhin të ndërtojnë armë bërthamore.”