I goditur në këmbën e majtë fundjavën e kaluar në ndeshjen kundër Real Sociedad (2-0), Karim Benzema do të jetë plotësisht i gatshëm për derbin e planifikuar për të dielën (21:00) kundër Atlético Madrid.
“Ai u stërvit sot, ka ndjenja të mira, është në dispozicion dhe do të luajë nesër (e diel)”,– ka thënë trajneri i tij Carlo Ancelotti. Në seancën e sotme të Real Madridit ka munguar vetëm Dani Ceballos, “i cili do të rikthehet në stërvitje javën e ardhshme,”– sipas teknikut italian.
Nëse do të kenë sukses nesër, “Merenguesit” do të kalojnë 13 pikë përpara Atleticos në krye të renditjes. “Nëse fitojmë, thjesht do të kemi tre pikë më shumë se një kundërshtar i drejtpërdrejtë, i cili do të luftojë me ne deri në fund, jam i sigurt për këtë,- deklaroi Ancelotti. – Deri më sot kemi qenë më të mirët, sigurisht. Por ajo që na shqetëson është e ardhmja, jo e shkuara”.