Procesi i votimit në dy fshatra të Shkodrës është anuluar. Ky vendim ka ardhur pasi në fshatin Sh dhe në fshatin Bruçaj të njësisë administrative Pult nuk ka shkuar asnjë votues prej 5 orësh.
Në këto kushte, sipas ligjit procesi i votimit anulohet dhe përmes një procesverbali të mbajtur nga kryetari dhe anëtarët, qendrat e votimit janë mbyllur. Procesverbali dhe materialet zgjedhore të kësaj KZAZ-je do të dërgohen në Shkodër për administrim.
Moti i keq dhe temperaturat e ulta kanë bërë që në këto dy fshatra banorët të mos dalin të votojnë. Gjithashtu, reshjet e dëborës kanë qenë të vazhdueshme aq sa kanë bërë të pamundur në mëngjes edhe lëvizjen e komisionerëve.
Më herët, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka deklaruar se në ato zona ku nuk paraqitej asnjë votues prej 5 orësh, atëherë procesi zgjedhor do të anulohej. Dhe në fakt ashtu ka ndodhur. Deri tani nuk ka raportime për zona të tjera të cilat mund të kenë këtë fat.
