Anulohet papritur konferenca për shtyp me Trump dhe Netanyahun

0

Një konferencë për shtyp mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që do të mbahej këtë mbrëmje është anuluar, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

Dy liderët do të vazhdojnë të marrin pyetje në Zyrën Ovale nga një grup më i vogël gazetarësh, shtoi administrata Trump.

Shtëpia e Bardhë nuk dha ndonjë shpjegim përse u anulua konferenca për shtyp.

Nëse vizita e Netanyahut do të ketë sukses në uljen ose eliminimin e tarifave të Izraelit, mbetet për t’u parë, por se si do të zhvillohet ajo mund të krijojë terrenin për mënyrën se si liderët e tjerë botërorë përpiqen t’i adresojnë tarifat e reja.

Trump e përshëndeti kryeministrin izraelit me një shtrëngim duarsh të fortë ndërsa ai mbërriti për bisedime.

Presidenti Trump është nën presion mbi politikën e tij tarifore, e cila ka shkaktuar një tronditje në tregjet globale, dhe Netanyahu përballet me pyetje në lidhje me vrasjen e 15 punonjësve të ndihmës mjekësore nga trupat izraelite në Gaza.