Në Gjykatën e Apelit të Posaçëm u zhvillua këtë të martë seanca e radhës në kuadër të procesit të bujshëm “Plumbi i Artë”. Në qendër të kësaj seance ishte dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë Erion Alibej, i akuzuar si drejtues i një organizate kriminale që vepronte në Elbasan, i përfshirë në disa vrasje për motive hakmarrjeje.
Alibej tregoi përpara trupës gjykuese përpjekjet e tij për të eliminuar fizikisht personat që ai dyshonte si të përfshirë në vrasjen e vëllait të tij Endrit Alibej, gjatë ngjarjes së njohur si “Masakra e Bradasheshit”, ku mbetën të vrarë edhe Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durunay.
Gjatë seancës foli për vrasjen e Dorian Shkozës, për urdhrin për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, si dhe për përpjekjet për gjetjen e Talo Çelës. Gjatë dëshmisë, Alibej zbuloi komunikimet në platformën Sky ECC me Plarent Dervishaj, si dhe kodet që ky i fundit përdorte në rrjetin e enkriptuar.
Dilte ‘në sy të policisë’ si shpërndarës picash! Si i gjeti Erjon Alibej vrasësit e familjes së tij, zbardhet DËSHMIA: Isha i fokusuar te Talo Çela…
“Në Sky ECC më shkruante Plarent Dervishi. Kam pasur kontakt me të. Ai kishte kodet ‘Barcelona’ dhe ‘Gost’. Më tha: ‘Mbohet qefi që e ke gjet Talo Çelën’. U habita si e dinte, por më pas u kujtova që Plarenti kishte shumë muhabet me Festim Qolin”, deklaroi Alibej në sallën e gjyqit.
Ai rrëfeu se për vrasjen e Dorian Shkozës kishte paguar 100 mijë euro. Armët, sipas tij, ishin blerë tek një hoxhë në Tiranë, përmes ndërmjetësimit të Sandër Bahos.
Sipas dëshmisë, një automjet Toyota i vjedhur, blerë në Shijak, u përdor për atentatin dhe iu dorëzua Dumanit bashkë me armët. Alibej tregoi se për të fituar besimin e Dumanit, i kishte dhënë atij edhe 150 mijë euro.
“Ja dhashë makinën dhe armët te pazari i Rrogozhinës, ishte me Klevis Allën kur i mori. Më pas, Nuredini kërkoi dhe 50 mijë euro. Ia çova me një mikun tim. Ia dhashë gjithsej 150 mijë euro, që të shikonte që kisha lek dhe të kishte besim”, u shpreh ai.
Lidhur me vrasjen e vëllezërve Haxhia, Alibej deklaroi se i kishte dhënë dy kallashnikovë dhe një pistoletë Dumanit. Plani fillestar, sipas tij, ishte për të vrarë Altin Ndocin dhe Besmir Haxhinë, por viktimë e paplanifikuar mbeti edhe Viktori. Ai sqaroi se kishte marrë vesh për identitetin e viktimave nga lajmet televizive dhe se më pas kishte komunikuar me Dumanin për detajet e atentatit.
“I thashë Nuredinit pse kishte shenja gjaku në makinë. Më tha: kemi qëlluar me xhama mbyll dhe nga ciflat është lënduar ‘Kusho’. Më pas u shoqërua ‘Nipi’ në polici dhe Nuredini më tha: ‘Më duket se ky po flet’. E mori vesh nga komshinjtë, nga ‘Miri Pojes’, që e kishte mik”, përfundoi dëshminë Alibej.