Fabrizio Lisi, ish-gjenerali i lartë i Guardia di Finanzas në Itali, është arrestuar sot nën dyshimin për përfshirje në korrupsion, shkruan newsbomb.al. Gjykata e Napolit ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për Lisin dhe 4 zyrtarë të tjerë, mes tyre biznesmenë, një zv/prokuror dhe një avokate.
Ish-gjenerali Fabrizio Lisi është akuzuar dy vite më parë nga vetë mediat italiane se ka bashkëpunuar me trafikantë shqiptarë të drogës në zonën e Vlorës dhe dyshohet se ka përfituar prej tyre sipërfaqe të mëdha toke. Megjithatë, për këto akuza nuk ka pasur asnjë të arrestuar nga autoritetet në Itali dhe në Shqipëri.
Ish-gjenerali i lartë i Guardia di Finanzas mund të ketë shumë lidhje në Shqipëri, por një është e provuar dhe shumë e ngushtë për të. Fabrizio Lisi është mik i sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjell Agaçi. Të dy janë fqinj në Romë dhe apartamentet i kanë në të njëjtën godinë.
Në një shkrimi i botuar në OCCRP (Projekt për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin) në Mars të vitit 2021, gazetarja Lindita Çela raportoi për rolin e Engjëll Agaçit në investimet e shoqatës kulturore “Luca dhe Marco Eftimiadi” që drejtohej nga Gjenerali në pension i Guardia di Finanzas, Fabrizio Lisi.
“Lisi dhe një anëtar i bordit i quajtur Giampaolo Polverini thanë se Agaçi rreshti së luajturi rol negociator pasi u fut në qeverinë Rama në vitin 2013.
Një tjetër anëtar i bordit të fondacionit, një ish-diplomat italian me emrin Eugenio Campo, i tha OCCRP se Lisi dhe Agaçi vazhduan të mbajnë lidhje në çështjet që lidheshin me fondacionin edhe pasi Agaçi mori postin e nivelit të lartë në kryeministri.
Alessandro Bernadini, që u punësua nga Lisi për të zhvilluar tokën në breg të detit shkon edhe më tej. Ai i tha OCCRP se “Lisi nuk bënte dot asnjë lëvizje nëse Agaçi nuk i jepte leje atij”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e gazetares investigative Lindita Çela, i botuar në mars të vitit 2021.
Këtë lidhje të ngushtë mes ish-gjeneralit të arrestuar për korrupsion në Itali dhe sekretarit të Këshillit të Ministrave në Shqipëri, e ka denoncuar dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit e quante “Don Agaçio” dhe deklaronte se avokati që u bë krahu i djathtë i Edi Ramës kërkohej nga Italia për pastrim parash.
“Ka mandat arresti nga një vend mik për Engëll Agaçin. Nga një vend këtu pranë. Për pastrim parash. Nuk është nga INTERPOL. Një gjë është e sigurtë, në djegësa një strumbullar absolut është Engjëll Agaçi. Është eminenca gri e mafies shtetërore. Don Agaçio ka qenë kryesori…” u shpreh Berisha në emisionin “Zonë e Lirë” në dhjetor të 2021.