Kryeministri Edi Rama të mërkurën është shprehur se ndjehet krenar për impiantet moderne të përpunimit të mbetjeve që sipas tij i hapën rrugë shpëtimit afatgjatë të ndotjes së rëndë të shkaktuar nga plehrat në zonat e Elbasanit, Tiranës dhe Fierit.
Në përgjigjen e dhënë për një komentues në rrjetin e tij social Facebook, Rama thekson se impiantet moderne të përpunimit të mbetjeve së bashku me Reformën në Drejtësi, janë vepra të shumicës qeverisëse për të cilat është dhe do të jetë krenar.
“Euforia baltosëse e atyre që bëjnë politikë me akuza e më moton shpif e shpif se diçka do mbetet, për arsye të ndalimit dje nga SPAKU të ish-ministrit të Mjedisit, nuk më bën asnjë përshtypje, sepse nga njëra anë investimi në Elbasan është aty, në sytë e të gjithëve e në bazë të kontratës dhe tashmë është pjesë e Bashkisë së Elbasanit që do të shërbejë për të vazhduar në mbrojtjen e zonës nga ndotja, ndërsa nga ana tjetër çështja e ish-ministrit me SPAK-un dhe drejtësinë, nuk është as çështje politike, as çështje partiake, as çështje kolektive, po një çeshtje individuale”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se që nga dita e parë e qeverisjes së tij, një rregull nuk ka ndryshuar: Cilidoqoftë ai, pa dallim partie, duhet të përballet vetë me drejtësinë.
“Cilidoqoftë ndër ne, që merret si i pandehur nga organet e pavarura të drejtësisë, duhet të ballafaqohet me drejtësinë bashkë me avokatin e vet, sepse Partia Socialiste nuk është zyrë avokatie e askujt prej nesh dhe deri në vendimin përfundimtar gjyqësor, askush ndër ne që ka punë me drejtësinë nuk mund të jetë pjesë e familjes sonë politike”, tha Rama.





