Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se 13 persona janë arrestuar të martën në Prizren dhe Podujevë pas një aksioni të policisë. Sipas Prokurorisë, 12 prej të arrestuarve janë zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe një tjetër, pronar i një biznesi, raporton Kosovapress.
Në komunikatë thuhet se ata akuzohen se kanë kryer veprat penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi”. Sipas Prokurorisë, pretendohet se me veprimet e tyre të dyshuarit e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 2.8 milion euro.
“Personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 419 i KPRK-së, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milion euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B ( të cilët janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi” dhe si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milionë euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur”, thuhet në njoftim.