Cërrik, 12 maj 2025 – Një 30-vjeçar është arrestuar mbrëmjen e kaluar në qytetin e Cërrikut, pasi ka kundërshtuar dhe sulmuar punonjësit e Policisë së rendit publik gjatë ushtrimit të detyrës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30, kur shtetasi E. M., banues në Cërrik, nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të zhvendosur automjetin e tij që po pengonte operacionin e tyre. Për më tepër, ai ka reaguar me dhunë fizike ndaj efektivëve, duke i goditur ata.
Si pasojë, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Cërrik e arrestuan në flagrancë për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Goditje për shkak të detyrës”.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për vijimin e veprimeve ligjore.