Një 32-vjeçar është arrestuar në Krujë, pasi organizonte lojëra fati në lokal.
Shtetasi me iniciale R.B., kishte përshtatur lokalin dhe kishte vendosur 4 makineta e 1 kompjuter për të organizuar skedina.
Sakaq është proceduar penalisht dhe shtetasi me iniciale . N., 52 vjeç, pronar i lokalit.
Njoftim i policisë:
Krujë/Vijon operacioni “Fati i lojërave”, me fokus goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Kishte përshtatur lokalin që kishte në përdorim, me makineta dhe kompjutera, për të organizuar lojëra fati, arrestohet në flagrancë 32-vjeçari. Procedohet penalisht pronari i këtij lokali. Sekuestrohen 4 makineta dhe 1 kompjuter, që përdoreshin për kryerjen e kësaj veprimtarie të kundërligjshme. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave” që ka si qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë vijuar kontrollet në lokale dhe në ambiente të tjera, ku mund të ushtrohet kjo veprimtari.
Si rezultat, është goditur një rast i përshtatjes së një lokali, me makineta dhe kompjutera, për të organizuar lojëra fati në kundërshtim me ligjin, është arrestuar në flagrancë shtetasi R. P., 32 vjeç, si dhe janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. N., 52 vjeç, të dy banues në Thumanë. 32-vjeçari kishte përshtatur lokalin që kishte në përdorim, me 4 makineta dhe 1 kompjuter që iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, për të organizuar lojëra fati në kundërshtim me ligjin. Shtetasi G. N. u procedua, pasi kishte në pronësi lokalin ku kryhej kjo veprimtari.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.